Deputeti i VV-së, Artan Abrashi, ka deklaruar se të gjithë duket t’i gëzohen arrestimit të, Milun Milenkoviq i njour si “Llune”, i cili është një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijës i bandave kriminale.
Ai në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se Milenkoviq, ka rrahur shqiptarë që 10 vite, më keq se në vitet e 90-ta.
“Ka rrahë shqiptarë që 10 vjet më zi se vitet e 90-ta. Po flasim për një njeri i cili është specializu në arte marciale, me detyra nga Beogradi për të mbjellë terror”, ka thënë ai.
Abrashi tha se Njësia Speciale e Kosovës, tërhiqet nga veriu në momentin që tërhiqen kriminelët.
“Forcat e Policisë së Kosovës, tërhiqen në momentin kur tërhiqen kriminelët, sepse aty ku është krimi është policia. Nuk mund të bëjmë kompromis me mandatin me të cilin i ngarkohet policisë nga kushtetuta. Aty ka kriminelë qartazi që lidhen me politikën e Beogradit”, ka thënë ai.