Analisti politik, Dardan Gashi, ka pretenduar se Qeveria e Kosovës, i paguan kompanitë e Milan Radojçiqit, për t’i mirëmbajtur rrugët në veri të Kosovës.
Sipas tij, këto kompani i marrin tetë milionë euro nga buxheti i Kosovës.
“Dimalin dua ta pyes diçka, a e di kush i mirëmban rrugët e Kosovës, në veri. Kompanitë e kujt paguhen në veri për mirëmbajtje të rrugëve. Janë të Radojciqit. Janë kompani të Radojciqit, 8 milionë euro në vit i merr Radojçiq që dy vjet nga Kurti”, ka thënë ai.
Deputetët e LVV-së, që ishin në studio të “Debat Plus”, Dimal Basha dhe Artan Abrashi, thanë se nuk kanë informata për një gjë të tillë.
Gashi e ka kritikuar VV-në edhe për mënyrën e trajtimit të Policisë së Kosovës, dhe mungesën e shtesës së rrezikshmërisë që katër muaj.
“Me ju pyet juve, pasi po e doni kaq shumë policinë pse po ua heqni shtesën e rrezikshmërisë, pse s’keni marrë asnjë veprim për përmirësim të gjendjes së tyre kur të dalin në pension, e mos të flasim sigurim që s’kanë fare”, tha ai.
Milan Radojiçiq nënkryetar i subjektit politik Lista Serbe është pjesë e listës së zezë së SHBA-së.