I jashtëligjshëm dhe veprim që do të ketë pasoja juridike po vlerësohet vendimi i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë për pezullim të certifikatës së biznesit ndaj Klan Kosovës.
Një ditë më parë, kjo ministri vendosi që të pezullojë certifikatën e biznesit të Klan Kosovës nën dyshimet se të njëjtit kishin mashtruar me dokumentacionin, dhe se kanë ngritur kallëzim penal në Polici.
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se një vendim i tillë nuk ka bazë ligjore, dhe se ekzekutivi ngadalë po dëshiron të e shtrijë pushtetin edhe tek mediat.
“Është fatekqësi që ministria merr vendime të tilla pa i analizuar si duhet, merr vendime të cilat nuk janë të bazuara në ligj, dhe nuk i kuptojnë pasojat juridike të atij vendimi dmth në rastin konkret, në radhë të parë duhet të kuptohet edhe pse dmth shoqëria aksionare në këtë rast Klan Kosova, është biznes në të njëjtën kohë brenda këtij biznesi kemi të bëjmë edhe me një produkt televiziv”, ka deklaruar Miftaraj.
Shqetësuese veprimin e ministrisë, po e konsiderojnë edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilët kërkojnë nga Komisioni i Pavarur i Mediave, të veprojë për këtë.
“Një shembull i tillë nuk është hasur asnjëherë në historinë e re të Kosovës, dhe pra pikërisht përvec atakimit të një televizioni në të cilin punojnë më shumë se 200 puntorë, është atakim direkt i lirisë së medias, lirisë së shprehjes dhe si AGK e kemi ngritur zërin edhe tek organizatat e tjera ndërkombëtare”, ka deklaruar Naim Sadiku, anëtarë i AGK-së.
Pas vendimit, në një reagim Klan Kosova kishte thënë se për vendimin ishte njoftuar pasdite, dhe se është vendim i padrejtë dhe arbitrar, pasi që nuk janë ftuar asnjëherë për të dhënë sqarimet e tyre.
“Klan Kosova asnjëherë deri më sot nuk ka pasur asnjë kontakt ose veprim nga ndonjë institucion i Republikës së Kosovës lidhur me çështjet për të cilat ministria ka ngritur dyshime. Klan Kosova asnjëherë nuk ka pasur rastin as të japë shpjegime çfarëdo në institucionet e shtetit lidhur me pretendimet e ministrisë, të cilat sipas tyre kanë rrjedhur nga një shkrim spekulativ nga një portal online, vetëm një ditë më parë. Derisa nuk marrim njoftime të tjera, ne besojmë se ky veprim është krejt i padrejtë, arbitrar dhe me primesa autokratike, i pa bazuar në ligj, i cili në secilën rrethanë i bie tentim i mbylljes së një mediumi, tentim i shkeljes së lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes. Ne kemi ndërmarrë menjëherë masat që të konsultohemi me juristë, ndërkohë duke njoftuar të gjitha institucionet e shtetit, ambasadat e akredituara në Kosovë, organizatat ndërkombëtare të mediave dhe lirisë së shprehjes”, thuhet në reagimin e mediumit, Klan Kosova.
Por, përkundër reagimeve të shumta, nga organizata të ndyrshme vendore e ndërkombëtare, pas pezullimit të certifikatës së biznetit të Klan Kosovës, ministrja e Industrisë Rozeta Hajdari ka vazhduar të insistojë se mashtrimi në këtë rast është shumë i madh.
“Më vjen keq që ka ndodhur në biznes që ushtron veprimtari të informimit publik, pra kjo e bën edhe më të rëndë. Por, siç e dini ARBK trajton vetëm rastin e kompanisë si biznes, çështjet e medias si të tillë trajtohen nga Komisioni Pavarur i Mediave dhe as MINT as qeveria, nuk hap media e as nuk mbyll media. Dhe për më shumë arsyen pse është pezulluar certifikata e biznesit është që të jemi të qartë edhe një herë se dokumentacioni me adresë të rreme, aq më keq me emërtim Gjakovë-Serbi dhe me emërtim Pejë-Serbi është veprim shumë i rëndë përpara ligjit, përpara Kushtetutës dhe aq më shumë mbi të gjitha është shumë e rëndë përpara vendit tonë, ëahtë shumë e papërgjegjshme kjo situatë”, ka deklaruar Hajdari.
Në lidhje me këtë nga Komisioni i Pavarur i Mediave, nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës, mirëpo në një reagim gjatë së mërkurës, kanë thënë se janë duke e trajtuar rastin.
Teksa organizata ndërkombëtare që merren me lirinë e mediave, kanë kërkuar që qeveria menjëherë të e revokoi vendimin e marrë.