Transferimin e lojtarit Ardian Mujës e ka bërë të ditur klubi kryeqytetas “FC Prishtina”, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Futbollisti i shumë pozitave në fushë, Ardian Muja, 25 vjeç, i lindur më 09.12.1997 në Mitrovicë, ish-futbollisti i Trepçës dhe në gjashtë edicionet e fundit, së fundi edhe kapiten, i Trepçës ’89, ka nënshkruar për dy vite me ekipin tonë “, thuhet në postimin e FC Prishtinës.
Muja ishte pjesë e Trepçës 89 këtë sezon dhe i njëjti e ka konfirmuar largimin e tij nga minatorët ditën e martë në faqen e tij në Facebook.
Ardiani duket se nuk ka menduar shumë për të nënshkruar me Prishtinën, pasi siç thotë ai, është i gatshëm të japë më të mirën te klubi i ri.
“Nuk e pata të vështirë fare të pranoja ofertën ‘bardhekaltër’. Realisht, Prishtina është klubi më i madh në Kosovë. Normalisht e ndjej vetën të gatshëm të marrë mbi supe skuadrën dhe të jap më të mirën, të jap maksimumin dhe pse jo të rikthejmë edhe titullin e kampionit në kryeqendër”, ka shkruar Muja.
Klubi “FC Prishtina” këtë verë ka nënshkruar me katër lojtarë si Albin Krasniqi, Drilon Islami, Eridon Maloku, Albion Kurtaj dhe Ardian Muja është perforcimi i pestë i ekipit nga kryeqyteti.