Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza-Kusari-Lila, ka njoftuar se kryesia e Kuvendit ka vendosur që të enjten të mbajë seancë, ku ministri i Financave, Hekuran Murati, do të jetë në interpelancë.
Sipas saj, seanca do të fillojë në ora 10:00, ku Murati do të flasë për çështjen “Rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik”.
“Seanca e radhës e rregullt e Kuvendit të Kosovës, të mbahet më 22 qershor ditën e enjte, në fillim me orën 10:00. Grupet parlamentare janë dakorduar që votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare të caktohen për një ditë tjetër, t’i lihet hapësirë interpelancës së kërkuar nga grupi parlamentar i Aleancës”, ka deklaruar ajo.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se kërkesa e partisë së tij bazohet në dy çështje, e para lidhet me bllokimin total që, sipas tij, Qeveria e Kosovës u ka bërë investimeve publike kapitale në vend.
Po ashtu, ai ka deklaruar se infrastruktura rrugore është në kolaps.
“Të enjten do të mbahet një seancë e rregullt me një pikë të rendit të ditës, pra me interpelancën për mungesën e financave nga Murati, të cilën e ka kërkuar AAK-ja. Kërkesa jonë bazohet në dy çështje të rëndësishme, e para lidhet me bllokimin total që Qeveria e Kosovës ia ka bërë investimeve publike kapitale në vend është e pashpjegueshme me shpërnda para të taksapaguesve në formë atë ndryshme dhe me u blloku një proces i investimeve kapitale në komuna, mirëpo edhe në nivel qendror”, ka thënë ai.
Po ashtu, Tahiri ka thënë se si veprim të dytë në këtë interpelancë e kanë pjesën e tyre për rritjen e koeficientit në 129 euro nga 105 euro.
“Kjo ka qenë kërkesa jonë dhe që nuk ka ndodhur. Këtë do ta bazojmë me fakte që koeficienti 105 euro e dëmton secilin qytetar”, ka deklaruar ai pas mbledhjes së Kryesisë në konferencë për media.