Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Forumit të Prespës që po mbahet në Strugë të Maqedonisë së Veriut, është takuar të premten edhe me kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Situata aktuale dhe zhvillimet e fundit në Kosovë, veçanërisht në komunat në veri të vendit, ishin pjesë e diskutimit mes tyre.
Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, Kurti e ka njoftuar kryeministrin në detyrë Abazoviq me propozimin e tij për depërshkallëzim të situatës dhe me faktet e institucioneve të Kosovës, të cilat dëshmojnë se të mërkurën Serbia bëri agresion ndaj Kosovës me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës thellë brenda territorit të Kosovës.
Ai ka shtuar se ky veprim agresor i Serbisë duhet të dënohet qartë dhe ashpër nga të gjithë.
Gjithashtu, gjatë takimit është diskutuar dhe për projektet e përbashkëta infrastrukturore, të cilat do të lehtësonin shkëmbimin e mallrave e lëvizjen e qytetarëve dhe afronin edhe më shumë dy vendet tona.
Ndërsa, Abazoviq ka oftuar që Mali i Zi, “si vend mik i Serbisë dhe Kosovës”, të jetë mikpritës i rundit e radhës të dialogut Kosovë – Serbi, me përfshirjen e zyrtarëve evropianë dhe amerikanë.
Abazoviq, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter, pas një takimit me Kurtin, ka thënë se “promovimi i paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal është një nga synimet kryesore të politikës së jashtme të Malit të Zi“.
“Interesi ynë i përbashkët është të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët në një bisedë të hapur“, ka shkruar tutje ai.
Një ditë më parë, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.