Kryeparlamentari Gluk Konjufca ka reaguar ndaj sulmit të gazetarëve në veri të Kosovës, duke theksuar se me këtë sulm Beogradi dëshmon se nuk ka asnjë urdhër dhe shenjë ndaj këtyre grupeve që i menaxhon për ta qetësuar situatën në veri të Kosovës.
Konjufca e ka dënuar ashpër këtë sulm dhe ka kërkuar që kriminelët të vihen para drejtësisë.
“Edhe sulmi i sotëm i grupeve të maskuara kriminale ndaj gazetarëve të medieve kosovare, tregon se Beogradi nuk ka dhënë asnjë urdhër dhe shenjë ndaj këtyre grupeve që i menaxhon për ta qetësuar situatën në veri të Kosovës. E dënoj ashpër këtë sulm mbi gazetarët dhe kërkoj që kriminelet të vihen para drejtësisë”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
Sipas Konjufcës, Beogradi, nëpërmjet grupeve kriminale, dëshiron që me çdo kusht ta destabilizojë gjendjen e sigurisë në Kosovë.
“Duke vazhduar t’i mbajë të aktivizuara grupet kriminale dhe sulmuesit e maskuar në katër komunat veriore të Kosovës, Serbia dëshiron me çdo kusht ta përshkallëzojë dhe ta destabilizojë gjendjen e sigurisë në Kosovë. Që nga pengimi i të drejtës ligjore të kryetarëve të zgjedhur të komunave për ta ushtruar detyrën në institucionet komunale përmes sulmesh të dhunshme e me armë zjarri kundrejt policisë së Kosovës, ushtarëve të KFOR-it, sulmeve ndaj gazetarëve e deri te rrëmbimi i tre policëve kufitarë nga ushtria serbe brenda territorit të Kosovës, Serbia po dëshmon se dëshiron patjetër tension dhe konflikt në Kosovë, saktësisht të kundërtën e asaj që po kërkon bashkësia ndërkombëtare”,ka shtuar ai.