Zëvendëskryesuesja e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Syzana Dautaj-Surdulli, gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se kjo agjenci ka bërë kategorizimin e 1.654 pronave që do të barten në Fondin Sovran, i cili ende nuk është themeluar deri më tash.
Grupi Punues për hartimin e draftit përfundimtar të koncept-dokumentit për themelimin e Fondit Sovran, i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës dokumentin, pas komenteve që kanë pranuar prej daljes në publik.
Qeveria e Kosovës ka thënë se Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimit të keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike.
Ky fond do të marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës. Fondi do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Korporatës së Thëngjillit, PTK-së. Agjencia Kosovare e Privatizimit do të shuhet ndërsa ndërmarrjet nën menaxhimin e saj do t’i kalojnë në pronësi Fondit Sovran.
Zëvendësdrejtori i AKP-së, Avni Jashari, gjatë raportimit në këtë Komision për raportin vjetor 2021, tha se deri më tani nuk është shitur asnjë pronë e Kosovës jashtë vendit, përkatësisht në gjashtë ish-Republikat e Jugosllavisë.
“Trajtimi i aseteve jashtë Kosovës ka specifikat e veta për shkak se janë të shpërndara në gjashtë ish-Republikat përbërëse të ish-federatës jugosllave. Edhe Ligji i AKP-së e parasheh trajtimin e këtyre aseteve në kuadër të kufizimeve të fushëveprimit për administrimin e këtyre aseteve. AKP-ja nuk ka shitur asnjë prej këtyre aseteve jashtë Kosovës”, ka theksuar Jashari.
Pas interesimit të deputetëve për paditë e AKP-së në Arbitrazh, zëvendës-drejtori Jashari tha se kjo agjenci e ka humbur rastin ndaj kompanisë Sharrcem në Arbitrazh.
Për shitjen e lirë të tokave bujqësore, drejtues të kësaj agjencie kanë thënë se çmimi mesatar për një ari tokë ka qenë 52 euro.
Në këtë raportim është bërë e ditur se sa i përket pagave të anëtarëve të Bordit të AKP-së, ato janë zbritur nga mbi 3 mijë euro në rreth 2 mijë euro ose rreth 30 për qind.
Si sukses i punës së Bordit të ri të AKP-së u tha të jetë marrja e kontrollit të kompleksit turistik të Brezovicës. Ky Bord i emëruar tetë muaj më parë, nuk ka shitur asnjë pronë.