Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin e Prespës për Dialog është takuar me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovskin, presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, si dhe me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq.
Pjesë e bisedimeve në këtë takim ishin dhe zhvillimet e fundit në Kosovë ku presidenti Begaj ka theksuar nevojën që vendet e rajonit anëtare në NATO, duhet të flasin me një zë për mos lejimin që provokime të ndryshme ta destabilizojnë Kosovën dhe rajonin.
Gjatë takimeve, Begaj me presidentët ndau vizionin e përbashkët të mbështetur në respektin e ndërsjellë, dialog, bashkëpunim dhe gjithëpërfshirje, që janë tejet të rëndësishme për të forcuar paqen dhe prosperitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Pjesë e diskutimeve me presidentët ishin dhe efektet që ka prodhuar lufta në Ukrainë për rajonin në tërësi, si dhe çështje me interes dypalësh. /KP