KFOR-i ka reaguar për sulmin ndaj gazetarëve gjatë ditës së premte pranë komunës së Leposaviqit.
Në një komunikatë për media, ata kanë dënuar këto sulme, duke theksuar se liria e shtypit dhe liria e shprehjes janë vlera themelore.
“KFOR-i dënon ashpër sulmet ndaj gazetarëve në veri të Kosovës gjatë ushtrimit të profesionit të tyre. Liria e shtypit dhe liria e shprehjes janë vlera themelore të cilat duhet të respektohen nga të gjithë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna ose veprimet e mëtejshme që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm dhe të sigurojnë që mediat të mund të kryejnë punën e tyre themelore në mënyrë të sigurt”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, sa i përket mosreagimit të tyre gjatë sulmit të së premtes ndaj gazetarëve, ata kanë ritheksuar se KFOR-i është reaguesi i tretë dhe Policia e Kosovës mbetet përgjegjëse për sigurimin e sundimit të ligjit në mbarë Kosovën.
“Pas incidenteve të 29 majit, kur një numër i madh i paqeruajtësve të KFOR-it u plagosën në sulme të paprovokuara, trupat e KFOR-it janë dislokuar rreth ndërtesave të komunave veriore për të ndihmuar në parandalimin e përleshjeve të mëtejshme. KFOR-i mbetet reaguesi i tretë dhe Policia e Kosovës mbetet përgjegjëse për sigurimin e sundimit të ligjit në mbarë Kosovën”, theksohet në komunikatë.
“KFOR-i vazhdon të kryejë mandatin e tij në mënyrë të paanshme, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, dhe mbështet plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si e vetmja rrugë përpara. Gjithashtu, komandanti i KFOR-it është në kontakt të rregullt me të gjithë homologët e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve dhe të organizatave të sigurisë në Kosovë, si dhe me përfaqësues të Forcave të Armatosura të Serbisë, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-së dhe komunitetit diplomatik”, thuhet ndër të tjera.
Ndërsa, Dukagjini i ka dërguar pyetje specifike KFOR-it për mosreagimin e tyre në momentin kur po sulmoheshin gazetarët, respektivisht, në lidhje me pamjet e siguruara nga Dukagjini, ku shihen gazetarët duke ikur, teksa pjesëtarët e KFOR-it i pengojnë që të largohen nga kriminelët serbë që po i sulmonin me gurë dhe shok-bomba.