Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjatë të dielës ka mbajtur një konferencë për media, ku i është drejtuar popullit serb për çështjen e Kosovës.
Ajo çka bie në sy gjatë gjithë konferencës është vajtimi që bën Vuçiqi. Ai në këtë konferencë e quan “gënjeshtar” EULEX-in, pasi sipas tij, ata po “vëzhgojnë vetëm dëbim e serbëve nga Kosova”
“…EULEX na thotë se ‘po e vëzhgojmë nga afër’. Ju gënjeshtarë, e vetmja gjë që ju doni të vëzhgoni nga afër është dëbimi i serbëve”, ka thënë Vuçiq.
Sulmet ndaj shqiptarëve në veri të Mitrovicës, Vuçiq i quan incidente të “vogla”.
“Që nga fillimi i vitit asnjë shqiptar nuk është qëlluar apo plagosur. Ka pasur incidente të vogla të të rinjve serbë dhe shqiptarë kur shqiptarët po kalonin urën në Mitrovicë”, ka thënë Vuçiq.
Sipas botëkuptimit të tij, ndërkombëtarëve dhe Qeverisë së Kosovës “nuk iu interesojnë serbët e Kosovës”.
“Atyre vërtet nuk i interesojnë serbët. Kurti po krijon një situatë kriminale, mendova se po e bënte i vetëm, por tani e di që po e bën me mbështetjen e disa partnerëve perëndimorë. ‘Ai keqtrajton të gjithë qytetarët e kombësisë serbe’”, ka shtuar ai.
Më tej, Vuçiq theksoi se dialogu me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është “inekzistent, pasi ai do luftë’.
“Dialogu me Kurtin është inekzistent. Ai do luftë, do luftë me çdo çmim. Mendon se si dhe në çfarë mënyre do të bëjë provokim. Dhe ai e ka përkrahjen, gënjejnë kur thonë se ka”.
Gjatë konferencës ai shton se populli serb është “në sulme dhe i kërcënohet mbijetesa”.
“Populli ynë është nën sulme të ashpra nga vrasës, hajdutë dhe mashtrues. E di mjaft mirë se sa të vegjël jemi në krahasim me vendet e NATO-s, e di që politika jonë duhet të jetë zhvillimi dhe progresi ekonomik, por jam i vetëdijshëm se sa e kërcënuar është mbijetesa e popullit tonë”, ka pretenduar Vuçiq.