Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar sërish ndërkombëtarët ta dënojnë kidnapimin e tre policëve shqiptarë nga forcat serbe në territorin e Kosovës.
Kurti ka thënë se janë duke bërë çdo gjë që zyrtarët policorë të lirohen sa më shpejt dhe të jenë të pacenuar.
“Jemi duke bërë çdo gjë që ata të lirohen sa më shpejt, të pacenuar, ndërkaq në anën tjetër ftojmë faktorin ndërkombëtar që ta dënojë agresionin e Serbisë më 14 qershor, ku njësitet e tyre ushtarake e policore rrëmbyen policët tanë, njësiti antiterror dhe ai Kobra i ushtrisë, tre policiët tanë në Leposaviq, të cilët ndodheshin pikërisht te një rrugë e mbyllur ilegale e kontabandës”, ka thënë Kurti para mediave.
Kreu i ekzekutivit ka shtuar se sipas të gjitha informacioneve që kanë, në fillim të javës që vjen, ambasadori Jetish Jashari, i cili përndryshe është shef i zyrës ndërlidhëse në Beograd, do të arrijë t’i vizitojë këta tre policë.
Policët shqiptarë u kidnapuan nga forcat serbe në territorin e Kosovës më 14 qershor.