Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin iniciativën e Kosovës për t’u bërë anëtare e Partneritetit për Paqe, si hap drejt anëtarësimit në NATO.
Përmes një postimi në Facebook, Mehaj ka thënë se “edhe një herë ShBA, si ndër partnerët e ngushtë dhe të pazëvendësueshëm në të gjitha proceset zhvillimore të Republikës së Kosovës, përmes përkrahjes së shprehur haptazi nga zëdhënësi i misionit të ShBA-së në NATO, Jeffrey Adler, rreth iniciativës sonë për t’u bërë anëtar të programit të Partneritetit për Paqe, si hap iniciues drejt anëtarësimit në NATO, po e dëshmon se Kosova konsiderohet partner i besueshëm i ShBA-së”.
“Defender Europe ’23, bashkëzbarkimet si misione të përbashkëta, janë rruga jonë drejt qëllimeve tona përfundimtare, anëtarësimin në institucione evropiane dhe euroatlantike”, ka thënë Mehaj.
“Republika e Kosovës është e përgatitur për të thelluar partneritetin dhe aleancën tonë e cila shtrihet në shumë fusha, bazuar mbi vlerat e përbashkëta me ShBA-në, dhe është e përkushtuar në rrugën e saj të integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.
Përmes një postimi tjetër në Facebook, Mehaj ka thënë se Ushtria e Republikës së Kosovës, vazhdon përgatitjet për “Defender Europe 2023”.
“Si gjithnjë të përkushtuar për validimin e dy regjimenteve. Të gjitha trajnimet zhvillohen sipas standardeve të vendeve të NATO-së”, ka shkruar Mehaj, duke postuar edhe një video nga përgatitjet e FSK-së.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte marrë mbështetje ajrore nga NATO më 24 mars të vitit 1999.