Në emisionin ‘Dueli Sportiv’ në RTV Dukagjini po vazhdon të diskutohet rreth Kombëtares së Kosovës në futboll.
Trajneri, Ismet Munishi, ka thënë se disa shokë të tij nga Sllovenia, të cilët janë ish futbollistë janë habitur se si Kosova nuk e ka ftuar sulmuesin e Muras, Mirlind Dakun.
“Disa ish-futbollistë nga Sllovenia të cilët i kam shokë janë habitur se si ne nuk e kemi ftuar Mirlind Dakun. Më kanë thënë se kush ju luan juve në atë pozitë Ruud van Nistelrooy apo Marco Van Basten, që nuk e ftoni Dakun,” tha Munishi.
Ai thotë se është i bindur që stafi i ‘Dardanëve’ nuk e ka shikuar asnjë minutë duke luajtur Dakun te skuadra sllovene.
“Jam i bindur që nuk e kanë parë asnjë minutë Mirlind Dakun duke luajtur te Mura,” pretendoi Munishi.
Mirlind Daku ishte golashënuesi i dytë më i mirë në Superligën e Sllovenisë për edicionin 2022/23 me 19 gola. Ai nuk u ftua nga Kosova për ndeshjet kualifikuese për ‘Euro 2024’ ndaj Rumanisë dhe Bjellorusisë.
“Dueli Sportiv” do të vazhdojë çdo të diel me fillim nga ora 22:00.
Përveç diskutimeve për sportin vendor po ashtu do të ketë edhe shumë risi të tjera në vazhdim.