Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur të hënën në takim lamtumirës ambasadorin e Çekisë, Pavel Bilek.
Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit ata kanë biseduar mbi zhvillimet e fundit në veri të vendit.
Bislimi ka theksuar se Kosova është shtet sovran, i cili ndjek parimet demokratike e vlerat evropiane e perëndimore dhe është në të drejtën e saj legjitime për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve të vendit, pa dallim.
Po ashtu, gjatë takimit është theksuar bashkëpunimi në fusha kyçe, veçanërisht sektori i energjisë së ripërtëritshme dhe menaxhimi i ujërave të zeza.
“Puna mes vendeve tona do të vazhdojë edhe në të ardhmen në drejtim të inkurajimit të rritjes së investimeve çeke në Kosovë dhe vizitave biznesore nga miqtë tanë në vendin tonë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Ndër të tjera, zëvendëskryeministri Bislimi i ka uruar fat e suksese të mëtejme ambasadorit Bilek në angazhimin e tij të radhës.
“Palët konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe punën e zhvilluar gjatë mandatit të ambasadorit Bilek, përmes thellimit të bashkëpunimit mes vendeve tona, si dhe vizitave të shumta diplomatike të zhvilluara si në Pragë e po ashtu dhe në Prishtinë”, thuhet tutje në njoftim.
Gjithashtu, në njoftimin e Qeverisë thuhet se si një përkrahëse e madhe e rajonit, Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së gjatë vitit të kaluar ka qenë ndër më të suksesshmet.
Vendet e rajonit kanë avancuar në rrugën e tyre drejt BE-së, duke përfshirë edhe Kosovën, e cila, siç thuhet në njoftim, ka arritur të ketë vendim politik dhe konsensus të shteteve anëtare për liberalizimin e vizave dhe ka pranuar zyrtarisht kërkesën tonë për anëtarësim në BE në Pragë.