“Pa asnjë arsyetim e me masa të rrepta të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it italian dhe, pa asnjë dokument, apo vendim për rrënim” qytetarit, Kastriot Hulaj, nga Komuna e Deçanit, ia kanë rrënuar panot ku falënderonte UÇK-në dhe NATO-në.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Hulaj nëpërmjet një postimi në Facebook, ku ka ngritur dilemën pse është dashur të rrënohet në ditën e sotme këto pano, mu në ditën kur i ka vendosur shkronjat “UÇK”. Pasi sipas tij, panot kanë qenë aty me muaj.
“Çudia e gjithë kësaj pune është se pse u deshtë të rrënohen bash sot, kur në të i vendosa këto tri shkronja UÇK sepse panot ishin aty tash e disa muaj.! Me këtë rast unë do të inicioj si rast dhe sigurisht do të merret prokuroria dhe gjykata”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se në ditët në vijim, pavarësisht se i janë rrënuar, do të vendosin pano të tjera gjithandej Deçanit.
“Gjithsesi, qytetar të Deçanit e ju ish ushtarë të vërtetë të UÇK-ës mos u mërzitni sepse ditëve në vijim do ta mbushim gjithandej Deçanin po më këto shkronja e po më këtë logo (të njëjtën)”, ka shtuar Hulaj.