Presidentja e PE-së: Situata në veri duhet të shtensionohet

Parlamenti Evropian i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet në kohën kur i gjithë kontinenti evropian po kalon nëpër një situatë të ndjeshme

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola. GETTY IMAGES

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, pas takimit me kryetarin e Kuvendit të Kroacisë, Gordan Jandrakoviq, ka bërë thirrje për shtensionimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë, duke shprehur shqetësimin e saj për dhunën që po shfaqet në rajon.

“Parlamenti Evropian ka bërë thirrje qysh prej se i kemi parë tensionet në mes Kosovës e Serbisë, për shtensionim. Nuk ka fjalë tjetër që mund të përdoret, shtensionimi duhet të ndodhë. Nuk mund të përballojmë të shohim më shumë dhunë, në një kohë kur kontinenti jonë është aq i cenueshëm dhe situata është e paqëndrueshme”, ka thënë  Metsola, raporton Dukagjini.

Ajo gjithashtu ka shtuar se jo vetëm Parlamenti Evropian, por edhe institucionet e tjera të Bashkimit Evropian kanë pasur një qëndrim të qartë në lidhje me këtë çështje.

Gjithashtu, ajo ka thënë se edhe Kroacia mund të tregojë shembuj pozitivë, duke qenë proaktive në thirrjet për deeskalim dhe qetësim.

“Transformimi i Kroacisë është shembull që duhet të ndiqet nga të tjerët. Kroacia mund të luajë rol udhëheqës për t’i ndihmuar vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, jo vetëm me mbështetje politike, por edhe me përvojën që ka gjatë procesit, përmes së cilit u bë anëtare”, ka deklaruar Metsola.

Kujtojmë se, që nga fundi i majit, tensionet në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës.

Kryetarët e rinj u kundërshtuan nga serbët lokalë, të cilët që atëherë po mbajnë protesta të vazhdueshme në tri komunat veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në përleshje mes serbëve lokalë dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Tensionet janë rritur edhe më shumë më 14 qershor, pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe.

Serbia pretendon se ata u arrestuan “thellë” në territorin serb, por Kosova ka njoftuar se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë bërë thirrje Serbisë që të lirojë pa kushte policët. Ndërkaq, BE-ja dhe SHBA-ja i kanë paraqitur tri kërkesa autoriteteve në Kosovë për shtensionimin e situatës. Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përgjigjur duke paraqitur një plan të tij pesëpikësh.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika