Driton Berisha dhe Betim Osmani u detyruan t’i braktisin shtëpitë e tyre në Zveçan. Në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini, ata kanë rrëfyer eksperiencat e tyre dhe jetën pas largimit nga shtëpitë e tyre.
“Është parë që situata ishte e keqe, Zveçani është me shumicë serbe, ne kemi qenë pakicë, 30-40 shtëpi, dhe jemi larguar para kohe dhe më nuk kemi shkuar kurrë atje, edhe sot nëse kthehemi, është problem, sepse atje shumica dominojnë, kisha pasur dëshirë të kthehem në Zveçan, por është e vështirë, herën e fundit kam qenë para 6 viteve” ka thënë Berisha.
Ndryshe nga Dritoni, Betim Osmani tha se shtëpinë e vizitojnë çdo ditë dhe shpresojnë që të kthehen në pronat e tyre.
“Vizitojmë shtëpinë për çdo ditë, me komunitetin serb nuk kemi pasur probleme, e shoh si mospunë të institucioneve tona për krijimin e kushteve për qytetarë që të mos kthehen në pronat e tyre”, u shpreh ai.
Tutje, ai ka shtuar se pas shpalljes së pavarsisë, shteti i ka të gjitha kompetencat për veprim në të gjithë territorin e Kosovës dhe nga institucionet kanë kërkuar që të funksionojë ligji në territorin e Kosovës.
“Është jashtë logjikes t’ia hedh fajin Serbisë, pse jam jashtë shtëpisë sime, deri në vitin 2008 nuk na kanë lejuar ndërkombëtarët, në vitin 2008 jemi shtet i pavarur dhe sovran, si shtet i kemi të gjitha kompetencat për veprim në territorin e Kosovës”, theksoi ai.
Osmani ka theksuar edhe punën vullnetare që bën me të gjithë të larguarit nga veriu i vendit.