Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) i ka asgjësuar 32 krerë gjedhe në Gjilan dhe Prizren, të cilat kanë rezultuar pozitiv në sëmundjen e Brucelozës.
Në njoftim thuhet se “për të penguar përhapjen e sëmundjeve infektive, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, gjatë gjithë vitit zhvillon politika për luftimin e sëmundjeve infektive Zoonotike”.
Po ashtu, AUV kryen hulumtime diagnostike, bëhen testime, dhe në rast se rezultojnë pozitiv me ndonjë sëmundje infektive “ndërmerren veprimet ekzekutive për asgjësimin e kafshëve për ta penguar përhapjen e sëmundjes”.
Masat e tjera, sipas AUV-it “janë dezinfektimi i fermës dhe mbikëqyrja e afateve kohore për ripopullim”
Po ashtu, në rastet e paraqitjes se sëmundjeve infektive AUV-i, i ndihmon fermerët me mbulim të shpenzimeve për asgjësim, me dezinfektimin të fermës, si dhe bëhet kompensimi për kafshët e asgjësuara.
Bruceloza është një sëmundje infektive e shkaktuar nga bakteret.
Njerëzit mund ta marrin sëmundjen kur janë në kontakt me kafshë të infektuara ose produkte shtazore të kontaminuara me baktere. Kafshët që janë më së shpeshti të infektuara përfshijnë delet, bagëtitë, dhitë, derrat dhe qentë.