I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një debat të zhvilluar nga Këshilli i Atlantikut në Washington, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka thënë se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, kanë “potencial të shndërrohen në konflikt rajonal”.
Teksa u pyet për këtë deklaratë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se duhet të pyetet emisari amerikan, Escobar se për cilat shtete e ka fjalën përvec Kosovës dhe Serbisë.
“Unë di shumë gjëra, por jo aq shumë. Do të duhej ta pyesni emisarin Escobar kur ka folur për konflikt rajonal për cilat shtete pos Kosovës e Serbisë ka menduar. Mali i Zi nuk e besoj, Maqedonia e Veriut po ashtu. Kryeministri Rama ka kërcënuar Beogradin, ndoshta. Por do të duhej ta pyesni emisarin Escobar për këtë”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, tensionet në veri janë rritur që nga 26 maji. Atë ditë, serbët nisën protestat kundër hyrjes në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, të cilët hynë në ndërtesa me asistimin e Policisë së Kosovës.
Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar në veri, duke kundërshtuar kryetarët që u zgjodhën më 23 prill – zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.
Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në dhunë, me serbët që u përleshën në Zveçan me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Më 14 qershor, raportet u tensionuan edhe më shumë, pasi tre policë të Kosovës u kidnapuan nga forcat serbe.
Escobar për situatën në veri: Tensionet kanë potencial të shndërrohen në konflikt rajonal