Kompania “Artmotion” ka reaguar lidhur me një lajm të publikuar nga një media e cila pretendon se kompania në fjalë ka shkelur ligjet e Republikës së Kosovës.
Lidhur me këtë, kompania “Artmotion” ka mohuar pretendimet gjersa ka numëruar edhe argumentimet kundër raportimit.
“Para disa ditësh një portal pak i njohur online e postoi një lajm të paredaktuar në lidhje me Artmotion, por që pas disa minutash e larguan. Ndërsa të hënën, portali tashmë “i mirënjohur”, por çuditshëm pa adrese fizike të punës, publikoi të njëjtin lajm, tani pak më të redaktuar dhe nuk e larguan pas disa minutash si herën e parë. Më poshtë do të sqarojmë me fakte shpifjet e portalit dhe shpërndarësve të tij, duke demaskuar tendencën për t‘i falsifikuar faktet me qëllim të shtrembërimit të të vërtetës dhe padrejtësisht dëmtimit të imazhit të ArtMotion. Kompania ArtMotion është kompani njëqind për qind e Kosovës. ArtMotion është e regjistruar dhe e licencuar në Republikën e Kosovës, në bazë të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi. Pronari i kompanisë ArtMotion është shqiptar i Kosovës, i cili ka pasaportë dhe vendbanim të përhershëm vetëm Kosovën. Kjo nuk e përjashton atë që, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, të ketë edhe pasaportë tjetër. Ritransmetimi i kanaleve të ArenaSport bëhet në bazë të ligjeve në fuqi për ato të drejta të cilat ArenaSport i ka për territorin e Republikës së Kosovës, të cilat blihen përmes tenderëve ndërkombëtare. Kjo është krejt e vërteta, as më shumë as më pak. Secila kompani në secilin shtet ka të drejtë t’i blejë të drejtat e transmetimit të përmbajtjeve televizive dhe sportive për shtetin ku operon, por edhe për shtete të tjera. Njëlloj qëndron puna edhe me kanalet e ArenaSport. Art Mo6on e ka blerë të drejtën për Republikën e Kosovës nga kompania e cila më herët i ka blerë këto të drejta për disa shtete të rajonit, si Sllovenia, Kroacia, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia dhe Mali i Zi”, ka shkruar Artmotion.
Nga kompania në fjalë kanë thënë se marrëveshjet e ArtMotion me Arena Sport janë të deponuara në Komisionin e Pavarur të Medias (KPM).
“Të gjitha marrëveshjet e ArtMotion me Arena Sport janë të deponuara në Komisionin e Pavarur të Medias. Këto marrëveshje janë të deponuara në KPM në të njëjtën mënyrë siç janë të deponuara edhe marrëveshjet e Art Motion me kompanitë më të njohura në botë për përmbajtje televizive, siç janë Paramuont, Euro Sport, Discovery, NBC Universal, VIACOM, Sony, Warner Bros, Banijey, UEFA, FIFA, La Liga, NBA, Formula1, Moto GP, Federatën Ndërkombëtare të Judos, Cinestar, Liga 1 e Francës, DigitAlb e Shqipërisë e shumë të tjera. Këtu shtrohet pyetja, si qenka e mundur që ArtMotion vetëm për shkak të një marrëveshje me një kompani që bazën e paska në Serbi të paragjykohet automatikisht si „kompani serbe“, por jo edhe si kompani amerikane, britanike ose japoneze për shkak të marrëveshjeve të njëjta që i ka me kompanitë në SHBA, Britani të Madhe dhe Japoni? ArtMotion e ka sqaruar këtë çështje me KPM-në edhe në vitin 2018 kur ishin ngritur pyetje njëlloj si tash, kurse edhe atëherë ishte konstatuar se gjithçka është sipas ligjit. Ne kemi kënaqësinë të tregojmë se vitet e fundit ArtMotion ka rritur dukshëm numrin e kanaleve vetanake të sportit dhe po ashtu ka shtuar numrin e eventeve sporteve, duke thyer një monopol 15 vjeçar, ku vetëm një kompani ka pasur monopolin e të drejtave spor6ve dhe duke e bërë prezencën e kanaleve ArenaSport pak të dukshme. Me kohë, disa muaj para se kjo të bëhej normë, ArtMotion me vetiniciativë ka larguar kanalet me origjinë nga Rusia, më saktësisht nga data 14.12.2021 (foto 1), gjë që ishte përshëndetur nga ambasadat perëndimore, ndërkohë që vendimi i Këshillit të Evropës është marrë më 01.03.2022, ndërsa Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të njëjtën më dt 23.03.2022 (foto 2), datë kjo kur operatorët e tjerë kabllorë në Kosovë kanë ndërprerë transmetimin e tyre”, kanë thënë nga Artmotion.