Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri ka thënë se Qeveria E Republikës së Kosovës drejtuar nga Kryeministri, Albin Kurti po tregon paaftësinë e saj në të menaxhuarit suksesin.
Në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Haziri ka deklaruar se nuk e kupton mosveprimin e Kurtit gjersa i njëjti, ka 51 përqind të votave.
“Njerëzit që dijnë të menaxhojnë sukesin janë shumë më të vlefshëm se ata që dijnë të menaxhojnë trazirat, krizat, luftën…Sidomos kjo qeveri po tregon se është shumë e paaftë të menaxhojë suksesin. 51 për qind me të mbështet sot e popullit të Kosovës, me të besu partnerët ndërkombëtar, mos me pas guxim me i shkru dy faqe letër me nxjerrë një vision…unë nuk mund t’a kuptojë”, ka deklaruar ai.
Nënkryetari Haziri thotë se Kosova po shkon drejt momentit kur nuk do të mund të refuzojë një dokument të propozuar nga ndërkombëtarët.
“Kjo çka po ndodhë, Kosova do të vijë me një akt merre ose leje. Do të ketë një dokument që Kosova nuk do mund të ngrihet nga tavolina pa e marrë, nuk do ketë as mundësinë minimale të thotë jo. Ai do të jetë momenti më i keq”, ka deklaruar Haziri.
Haziri ka thënë se besimi në lehtësuesin e bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet humbur. Ai thekson se ndërkombëtarët nuk kanë ndryshuar qëndrimet e tyre në dialog.