Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka përmendur tri nga projektet infrastrukturore, të cilat ka premtuar që do t’i realizojë gjatë mandatit të tij.
“Tri gjëra do t’i theksoj të cilat mendoj që duhet të jenë si ndryshim i infrastrukturës dhe lidhjes ndërmjet shteteve të rajonit. Një, është ura Buna për të cilën i kemi ndarë mjetet edhe me buxhet dhe kemi një marrëveshje mes kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe qeverisë së Malit të Zi që të realizojmë urën”, ka thënë Abazoviq për Klan Kosovën.
“Velipojën duhet ta lidhim me Ulqinin dhe ajo ka për të qenë një atraksion për turistët. Bëhet fjalë për një urë që nuk është më e madhe se 190 metra. Tash në këtë moment, prej Ulqinin për të shkuar në Velipojë është 70 km. Na duhet vetëm një urë prej 190 metrash për ta lidhur që të jetë aksesi mes dy qyteteve vetëm 10 minuta”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se modernizim e rrugës që lidh Plavën me Deçanin e sheh si projekt të rëndësishëm strategjik.
Më tutje, ai ka thënë se do të bisedojë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për ndërtimin e tunelit për lidhjen e Rozhajës me Pejën.
“Një projekt shumë më i komplikuar, por që mendoj që është shumë i rëndësishëm është të bëhet tuneli mes Rozhajës dhe Pejës. Është një ide që ekziston që shumë vite, por askush nuk është nisur që ta realizojë, nuk di a ka pasur vullnet politik për ta realizuar”.
”Me kryeministrin Kurti do të komunikoj në këtë drejtim, dhe jam mëse i sigurt që institucionet financiare evropiane e do ta kishin financuar këtë projekt, ose një përqindje që të mos i bjerë barra as Kosovës dhe as Malit të Zi. Do të ishte fantastike që njerëzit të shkojnë në një tunel dhe t’i shkurtohet rruga”, ka thënë Abazoviq mbi projektin.
I pari i qeverisë malazeze ka thënë se projekte do të mund të hapin një perspektivë të re, t’i thyejnë paragjykimet dhe të krijojnë bashkëpunim në popull.