Ëndërrat i kanë të mëdha, njëjtë sikur dëshirën për të stërvitur. Basketbolli është sporti i tyre i preferuar.
KB KEKU, nga Obiliqi është një skuadër simpatike, të cilës nuk po i mungojnë sukseset.
Trajneri, Leonit Tanaj – tregoi më detaisht për punën e madhe që bëhet ne këtë klub.
“Për këtë sezon objektivi ynë kryesor është pjesëmarrja me tri gjenerata në gara. Zbulimi i talenteve, dhe pse jo përfaqësimi i kombëtares së Kosovës në basketboll.
Ne stërvitim katër herë në javë. Plus ndeshja. Numri i talenteve që kemi është i kënaqshëm. Duhet angazhim i madh dhe punë e palodhshme”, tha ai ndër të tjera.
Një punë të madhe për organizimin e këtij klubi po e bën kryetari, Engjull Sollova.
“Themelimi i KB KEKU ka ndodhur vitin e kaluar në korrik të 2022. Klubin e kemi hapur së bashku me Dritëro Kelmendin dhe Diellza Sollova. Arsyeja pse e kemi hapur klubin është që e kemi parë të nevojshëm që Obiliqi të ketë një klub sa më profesional, dhe gjithashtu që fëmijët të kenë ku të luajnë në garat e basketbollit të Kosovës. Presim shumë suksese, pasi edhe vitin e parë kemi pasur shumë suksese, e kemi zënë vendin e dytë në Ligën Unike për U 16. Presim përkrahje nga komuna, pasi për momentin është infuzioni i vetëm”, tha ai.
Ai po ashtu shtoi se klubi kërkon përkrahje, pasi për momentin infuzon i vetëm për ta është komuna e Obiliqit.
E, basketbollisti dhe basketbollistja më të dalluar – janë të lumtur që janë pjesë e këtij ekipi.
“Unë jam Ersa Grajqevci, 14 vjeçare. Ushtroj basketboll që dy vite, teksa që një vit ushtroj për KB KEKU. Qëllimi im është që ta përfaqësoj së më mirë qytetin tim, pse jo edhe kombëtaren e Kosovës”.
“Unë jam Ermal Ibrahimi, 16 vjeçar. Me basketboll merrem që tre vite, kurse te KEKU që një vit. Vitin e kaluar morëm pjesë në garë dhe e kemi zënë vendin e dytë. Kurse, edhe këtë sezon synojmë të jemi pjesë e garave dhe shpresoj që të kemi sa më shumë sukses”.
Interesimi për të ju bashkuar kësaj skuadre po rritet edhe më shumë dita e ditës, teksa edhe ulëset në palestër po mbushen çdo herë e më shumë.