Historiani Konrad Clewing – ekspert për Ballkanin Perëndimor, teksa i ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, vlerëson se ato janë shqetësuese, për shkak se sipas tij presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq po e ripërdor Kosovën për të zbutur ose për të anashkaluar protestat e brendshme kundër tij.
Në një intervistë për DW, Clewing ka thënë se shqetësues është edhe fakti që Perëndimi kohët e fundit ka mbajtur “qëndrim të njëanshëm, në anën e Serbisë”.
“Perëndimi heshti për një kohë për arrestimin e tre policëve kosovarë dhe deri tani nuk e ka dënuar ashpër këtë veprim”, ka thënë ai.
Siç theksoi eksperti Clewing, ka shumë tregues që e bëjnë atë të dyshojë siç është refuzimi që i bëri Vuçiqi nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe synimi i Serbisë për t’i dhënë formë autonomie Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Veç kësaj, prej më shumë se një viti qeveria serbe dhe mediat serbe që ajo kontrollon e kanë ashpërsuar thelbësisht retorikën e tyre. Nuk flitet më për të drejtat e serbëve, por për gjoja “terror” sistematik që po ushtrohet ndaj serbëve nga ana e autoriteteve të Kosovës. Edhe Kosova vetë po delegjitimohet sistematikisht: Qeveria e Beogradit dhe mediat e saj përdorin vazhdimisht termin “të ashtuquajturat” autoritete të Kosovës. Këto janë terma tërësisht revizioniste dhe luftënxitëse”, ka thënë ai.
Po ashtu, Clewing potencon se “ekziston vetëm një arsye pse ky revizionizëm nuk ka shans të kthehet në luftë: Kjo është prania e KFOR-it. Por, fakt është që Beogradi aktualisht po bën një luftë hibride”.
Teksa pyetet për presionin që po ushtrohet mbi Kosovën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, ai thotë se aleatët e mëdhenj të Kosovës – SHBA-ja dhe BE-ja – janë seriozisht të pakënaqur që nuk po gjejnë tek udhëheqja aktuale e Kosovës atë bindshmëri që e kanë gjetur në qeveritë e mëparshme.
“Dashur pa dashur, kjo është pjesë e traditës diplomatike mes fuqive të mëdha dhe shteteve më të vogla dhe ka logjikën dhe peshën e vet. Pika tjetër është se shumë aktorë perëndimorë ende besojnë se Serbia është lojtari kryesor në Ballkan, veçanërisht duke pasur parasysh kërcënimet që vijnë nga Rusia në drejtim të Evropës Lindore. Por se si mund të besohet seriozisht se pikërisht një vend, i cili lëkundet prej kohësh midis Lindjes dhe Perëndimit, mund të shërbejë vërtet si stabilizues, nëse nuk e kritikon, ky është një mister i madh për mua. Perëndimi këtu po i bën llogaritë gabim”.
“Pika e tretë ka të bëjë me sjelljen e qeverisë së Kosovës, e cila, jo vetëm që nuk e koordinoi me aleatët operacionin policor rreth bashkive në veri të Kosovës, por përkundrazi e informoi KFOR-in vetëm pak kohë më parë për operacionin. KFOR-i u detyrua kësisoj të përfshihej në një operacion pa dëshirën e tij. Nuk është çudi që perëndimorët dhe aleatët e Kosovës ta shohin këtë si provokim”.
Sipas tij, Perëndimi duhet të dërgojë sinjale të qarta politike në rajon.
“Ndryshe nga sa thonë amerikanët javët e fundit, Kosova nuk duhet të dobësohet në perspektivën e saj euroatlantike, por të forcohet. Përveç Serbisë, nuk ka dyshim se edhe Kosova duhet të tregohet më pragmatike. Sidomos duke prezantuar një koncept realist për Asociacionin”.
Ai thekson se ky koncept është urgjent, jo vetëm për një shtensionim akut, “por edhe si një gjest afatgjatë ndaj minoritetit serb, do të stabilizionte statusin e Kosovës si shtet, por do të ishte edhe një investim në opinionin publik serb të së ardhmes, i cili përfaqësohet sot në protestat kundër qeverisë në Beograd”.