Serbët e Graçanicës do ta bllokojnë rrugën Prishtinë- Gjilan, në shenjë protestë për shkak të arrestimit të Dragisha Milenkoviq, i cili po akuzohet për krime lufte në Kosovë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se përkohësisht do të bllokohet rruga Prishtinë-Gjilan, duke nisur nga ora 11:30.
Kjo, për shkak të protestës që është paralajmëruar nga serbët sot në Graçanicë. Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë të Policisë së Kosovës.
Njoftim për bllokim të rrugës
Policia e Kosovës, me qëllim të mbarëvajtjes së protestës së paralajmëruar, që do të mbahet sot në Graçanicë, duke filluar nga ora 11:30 e deri në përfundim të protestës, do të ridrejtoj trafikun për automjetet që qarkullojnë nga Prishtina në Gjilan dhe anasjelltas, pasi që rruga kryesore në Graçanicë nuk do të jetë e qarkullueshme për trafik deri në përfundim të protestës.
Andaj, për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën dhe mirëkuptimin e të gjithë pjesëmarrësve në trafik, që përgjatë kohës sa do të zgjatë protesta të shfrytëzojnë rrugët alternative.