Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, teksa ka komentuar çështjen e demarkimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, ka thënë se Demarkacioni ka marrë fund me nënshkrimin e marrëveshjes në vitin 2017.
Kështu i është përgjigjur ai kërkesës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me shqyrtimin e demarkacionit.
“Në këtë moment nuk e shoh atë mundësi, as dikush në Mal të Zi atë nuk e trajton si problem. Për Malin e Zi, ajo është çështje e mbyllur në momentin kur është nënshkruar”, ka thënë ai.
Abazaviq pro Ballkanit të Hapur
Abazoviq, tashmë kryeministri i parë shqiptar në Mal të Zi, e ka komentuar edhe çështjen e nismës rajonale “Ballkani i Hapur”, dhe është deklaruar pro kësaj iniciative.
Për të parin e ekzekutivit të Malit të Zi, “Ballkani i Hapur” është krijuar që brenda vetes t’i ketë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe që pjesë e kësaj iniciative rajonale duhet të jetë edhe Kosova.
“Ballkani i Hapur është krijuar për gjashtë shtete, nuk është bërë për pesë shtete e gjysmë ose tre shtete e gjysmë, por për gjashtë shtete. Gjithkush që participon e prezanton vetveten dhe shtetin e vet. Mendimi im, ndoshta jam gabim, është se interesi më i madh në rajon është i Kosovës që të jetë në çdo iniciativë rajonale”, ka thënë Abazoviç në një intervistë për Klan Kosova.
Ndërtimi i rrugës Plavë-Deçan dhe tuneli Rozhajë-Pejë, Abazoviq: Do të komunikoj me Kurtin
Ndërkohë, ai ka përmendur tri nga projektet infrastrukturore, të cilat ka premtuar që do t’i realizojë gjatë mandatit të tij.
“Tri gjëra do t’i theksoj të cilat mendoj që duhet të jenë si ndryshim i infrastrukturës dhe lidhjes ndërmjet shteteve të rajonit. Një, është ura Buna për të cilën i kemi ndarë mjetet edhe me buxhet dhe kemi një marrëveshje mes kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe qeverisë së Malit të Zi që të realizojmë urën”, ka thënë Abazoviq për Klan Kosovën.
“Velipojën duhet ta lidhim me Ulqinin dhe ajo ka për të qenë një atraksion për turistët. Bëhet fjalë për një urë që nuk është më e madhe se 190 metra. Tash në këtë moment, prej Ulqinit për të shkuar në Velipojë është 70 km. Na duhet vetëm një urë prej 190 metrash për ta lidhur, që të jetë aksesi mes dy qyteteve vetëm 10 minuta”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se modernizimin e rrugës që lidh Plavën me Deçanin e sheh si projekt të rëndësishëm strategjik.
Më tutje, ai ka thënë se do të bisedojë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për ndërtimin e tunelit për lidhjen e Rozhajës me Pejën.
“Një projekt shumë më i komplikuar, por që mendoj që është shumë i rëndësishëm është të bëhet tuneli mes Rozhajës dhe Pejës. Është një ide që ekziston që shumë vite, por askush nuk është nisur që ta realizojë, nuk di a ka pasur vullnet politik për ta realizuar”.
”Me kryeministrin Kurti do të komunikoj në këtë drejtim, dhe jam mëse i sigurt që institucionet financiare evropiane e do ta kishin financuar këtë projekt, ose një përqindje që të mos i bjerë barra as Kosovës dhe as Malit të Zi. Do të ishte fantastike që njerëzit të shkojnë në një tunel dhe t’i shkurtohet rruga”, ka thënë Abazoviq mbi projektin.
I pari i qeverisë malazeze ka thënë se projektet do të mund të hapin një perspektivë të re, t’i thyejnë paragjykimet dhe të krijojnë bashkëpunim në popull.