Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ia ka caktuar masën prej 30 ditësh paraburgim serbit të dyshuar për krime lufte.
Siç, thuhet në njoftimin e gjykatës, gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.M dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji,
“I pandehuri D.M, ishgardian i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht nga data 24.05.1999 deri me 10.06.1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtar tjerë të burgjeve në fjalë, kishin keqpërdorur autorizimet zyrtare, në atë mënyrë që pasi i kishin transferuar të burgosurit shqiptar nga burgu i Dubravës për në burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, fillimisht kishin formuar kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët ku të burgosurit ishin detyruar që të kalonin përmes kordonit dhe të dyshuarit kishin filluar që ti godasin me mjete të ndryshme si shkop gome, grushte, shqelma etj, dhe pas kësaj në mënyrë sistematike kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke torturuar në mënyrë ç ‘njerëzore, maltretuar, shkaktuar e lëndime të rënda trupore, dhunë psikike, traumë dhe pasoja në shëndet dhe duke i kanosur seriozisht për jetë, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhet në njoftim e gjykatës.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.