Me parulla në duar si “Çmimet n’qiell, pagat përtokë”, “Duam paga të dinjitetshme”, punëtorët e Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike, e kanë nisur grevën për të kërkuar ngritjen e pagave në vlerë prej 100 eurosh.
Kryetari i Federatës së Sindikatave të Pavarura Elektrokosova (FSPE), Ahmet Hyseni, para mediave ka thënë se janë mbledhur para zyrave qendrore të KEDS në Prishtinë, për të mbajtur grevë njëorëshe.
“Sot i kemi thirrur të gjithë punëtorët të vijnë nëpër distrikte, siç është distrikti i Prishtinës që e ka nën distriktin e Pejës, nën distriktin e Podujevës, Drenasit, Obiliqit, Fushë Kosovës, kështu që dita e parë do të fillojë kështu nëpër krejt Kosovën, distriktet dhe nëndistriktete nëpër vendet e veta. Greva është triditëshe, sot do të fillojmë më një orë, nesër me dy orë, pasnesër me tri orë”, është shprehur Hyseni para mediave.
Ai ka theksuar se nuk do të ndalen deri sa të realizohen kërkesat e tyre, e që përkon me rritjen e pagës deri në 100 euro.
“Kërkesa jonë është rritja e pagës”. Kërkojmë 100 euro rritje pagë për të gjithë punëtorët. Nuk do të ndalemi deri sa të realizohen kërkesat tona”, shtoi Hyseni.
Në anën tjetër, një punëtor i KEDS-it ka thënë se të ardhurat mujore të tij nuk janë të mjaftueshme.
“Ne kemi dalë të shprehim pakënaqësitë tona. Të ardhurat mujore që na përkasin nuk janë absolutisht të mjaftueshme duke u bazuar se sa është rritja e çmimeve. Ne të gjithë mbajmë familje, dhe do të vazhdojmë me qëndrimet tona, kemi qëndrim statik.
“Prej kur është privatizuar KEDS nuk kemi pasur rritje page, ne duam të na rritet paga”, thotë një tjetër që i ishte bashkuar kësaj greve.