Është arrestuar një serb, i cili dyshohet se e kishte sulmuar KFOR-in gjatë protestave të dhunshme në veri të Kosovës.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, i dyshuari me inicialet N.O banon në Mitrovicën e Veriut, dhe njihet me nofkën “Nemac” apo “Rusi”.
“Si rezultat i punës dhe hetimeve intensive të realizuara nga Policia e Kosovës, sot në orët e paradites është arrestuar i dyshuari mashkull serb N. O., me vendbanim në Mitrovicë Veri, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, si i dyshuar për përfshirje në rast të sulmit dhe rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare – KFOR-it”, thuhet në njoftim.
Arrestimi i tij, sipas policisë, është bërë pasi janë siguruar dëshmitë e mjaftueshme në përfshirje në sulm ndaj KFOR-it më datën 29 maj të këtij viti.
“Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer pas sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 maj 2023, ku si pasojë e sulmeve dhe dhunës së shfaqur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime trupore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.