Në Policinë e Kosovës nuk dinë se prej nga po hyjnë mjetet shpërthyese, me të cilat dyshohet se po sulmohen kryesisht stacionet e saj, në komunat në veri.
Javëve të fundit, në pjesën veriore të Kosovës janë regjistruar disa incidente, ku janë përdorur ato që mendohet të kenë qenë shok-bomba.
Mbrëmjen e 22 qershorit, në Mitrovicën e Veriut pati dy shpërthime, ndërsa zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka sugjeruar se ato mund të jenë shkaktuar nga lloji i njëjtë i armës.
Policia e Kosovës nuk ka dhënë informacione për prejardhjen e këtyre mjeteve shpërthyese në njoftimet zyrtare, në të cilat thuhet se rastet janë duke u hetuar.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se këto mjete shpërthyese, që nuk konsiderohen shkatërruese, por që prodhojnë një zhurmë tejet të madhe që çorienton shqisat, futen ilegalisht në Kosovë, përmes shtigjeve të ndryshme malore.
“Padyshim që ato mjete janë sjellë në Kosovë në mënyrë ilegale, nëpërmjet rrugëve alternative, që gjenden në veri. Është fare e lehtë që këto gjëra të sillen, meqenëse është i vështirë kontrollimi i terrenit në atë pjesë”, është shprehur ai.
“Përveç kontrabandës së vazhdueshme që ekziston, individë dhe grupe të caktuara të krimit të organizuar, në bashkëpunim me forcat serbe, sjellin edhe këto pajisje, të cilat po i shqetësojnë banorët dhe në veçanti organet e sigurisë”, ka deklaruar Qalaj për REL-in.
Në veri të Kosovës, ka thënë Qalaj, ekzistojnë probleme me rendin dhe me ligjin.
Në veçanti, me situatën e krijuar aktualisht, sipas Qalajt, është bërë edhe më i vështirë kontrolli i vijës kufitare me Serbinë.
Pjesa në veri të Kosovës, që kufizohet me Serbinë, konsiderohet si një nga zonat më të prekura nga kontrabanda.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social Twitter, më 7 qershor, ka thënë se në komunat veriore më 29 maj janë përdorur granata dore dhe shok-bomba, të prodhuara dhe të sjella nga Serbia.
Ndërkaq, për dy shpërthime me granata dore, që kishin ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar në Mitrovicë të Veriut, Policia e Kosovës kishte njoftuar se ishin përdorur mjete plasëse të prodhimit jugosllav.
Ekspertët e sigurisë e konsiderojnë rrezik të madh për Kosovën hyrjen e këtyre mjeteve shpërthyese në mënyrë të jashtëligjshme në veriun e vendit, si dhe numrin e madh të armëve ilegale.
Profesori i Shkencave të Sigurisë në Kosovë, Avni Islami, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se për shkak të këtyre armëve dhe mjeteve të tjera shpërthyese që janë në komunat në veri, siguria në atë pjesë të Kosovës është e brishtë, ndërsa dhuna mund të shpërthejë kurdo.
“Tendenca e Kosovës për shtrirjen e sovranitetit dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në veriun e Kosovës, është duke hasur në rezistencë agresive nga grupet kriminale atje, pikërisht duke përdorur armë të ndryshme, të cilat futen ilegalisht”, është shprehur Islami.
Hedhja e shok-bombave dhe përdorimi i armëve në veri të vendit tregon se grupet kriminale kanë një organizim të jashtëzakonshëm me shtetin e Serbisë, ka vlerësuar ai.
“Ato armë janë duke u përdorur nga njësi të specializuara të Serbisë, së bashku me grupet kriminale, dhe e gjithë kjo bën që shtrirja e rendit dhe e ligjit në veriun e Kosovës të jetë e vështirë”, ka thënë Islami për REL-in.
Armët ilegale, problem i theksuar
Numri i armëve të zjarrit që ilegalisht janë në duart e qytetarëve është problem i theksuar në Kosovë.
Një hulumtim i vitit 2015, i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë, tregon se qytetarët kanë në posedim rreth 250 mijë armë ilegale.
Sipas Policisë së Kosovës, në vitin 2022 janë konfiskuar 1.473 armë zjarri ilegale të llojeve të ndryshme, me rreth 30 mijë municione të kalibrave të ndryshëm.
Dënimi për armëmbajtje pa leje përcaktohet sipas Kodit Penal të Kosovës, i cili parasheh gjobë deri në 7.500 euro ose dënim me burgim deri në pesë vjet për armëmbajtje pa leje.
Aty parashihet edhe dënim prej dy deri në dhjetë vjet burgim, për posedim ilegal të katër ose më shumë armëve, ose të më shumë se 400 fishekëve.
Sulmet e vazhdueshme me shok-bomba po ndodhin në kohën kur situata është e tensionuar në veriun e Kosovës, në komunat e banuara me shumicë serbe.
Tensionet atje nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave veriore, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.
Ato kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.
Më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviqin, i cili dyshohet se ka qenë njëri prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.
Një ditë më vonë, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës përfunduan nën prangat e xhandarmërisë serbe. Autoritetet në Prishtinë akuzuan ato në Beograd për, siç pohuan, rrëmbimin e policëve në territorin e Kosovës, ndërsa Serbia tha se ata janë arrestuar brenda territorit serb./REL