Rama sërish letër Macron-it e Scholz-it: Të zbatohet plani franko-gjerman

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur se i është drejtuar sërish me një letër presidentit të Francës, Emmanuel Macron, kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel duke kërkuar që plani franko-gjerman “të zbatohet patjetër”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se i është drejtuar me një letër presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, lidhur me shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se kjo letër ka në thelb domosdoshmërinë e një shtyse të re konkret që plani franko-gjerman të zbatohet domosdo.

“Pardje i kam nisur një letër të dytë presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit të Këshilit Evropian, Charles Michel lidhur me domosdoshmërinë e e një shtyse të re konkrete, si kumbarët e planit franko-gjerman, natyrisht me mbështetjen e SHBA-së që plani franko-gjerman të zbatohet domosdo”, ka thënë Rama.

Rama ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të policëve të Kosovës që janë rrëmbyer nga forcat serbe.

“Pa u kthyer në shtëpi ata tre policë, nuk ka asnjë hapësirë për të lëvizur me planin e deeskalimit”, ka thënë Rama.

Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë më 8 qershor se ua ka dërguar një draft për Asociacionin presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Rama ka thënë se dokumenti është konfidencial, por është shprehur i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.

Ndër të tjera, Rama ka thënë se degradimi i situatës në veri si rezultat i ndeshjes së politikave të brendshme të dy palëve po e rrit me orë klimën e tensionit duke rrezikuar një përplasje fatale të armatosur mes grupeve që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë, për të cilën ka thënë se do të ishte një katastrofë.

“Në kushte kur degradimi i situatës në veri si rezultat i ndeshjes së politikave të brendshme të dy palëve po e rrit me orë  klimën e tensionit duke rrezikuar një përplasje fatale të armatosur mes grupeve që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë, cka do të ishte një katastrofë në mes cilës do përfshihej pastaj KFOR-i. Por përplasja e cila edhe sikur tre orë të zgjaste, jo më tre ditë apo tre javë, do të rezulonte fatale për gjithcka që është bërë këto vite, përpjekje, nisma, në Ballkanin Perëndimor nën ombrellën e procesit historik të Berlinit, një kthim mbrapa dramatik për gjithë Rajonin, që nuk mund të bëhet peng i lojës politike për elektorat as atyre në Kosovë e as atyre në Serbi”, ka vijuar Rama.

Sipas tij, kjo situatë nuk i shkon për shtat as Kosovës e as Serbisë.

“Prandaj është shumë e rëndësishme që ta kuptojmë të tërë që nga ata që flasin për vëllezërit e vogël e mëdhenj, që kërkojnë arsye për të shtyrë zvarrë këtë proces se interesi ynë kombëtar, kërcënohet nga kjo situatë dhe ky rajon nuk është as i Albinit e as i Aleksandrit. Ky rajon ka vuajtur boll nga nacionalistët, nga folkloristët, përplasjet e vazhdueshme të cilat mund të kenë pasur justifikime. Kjo situatë i shkon për shtat vetëm një fuqie, që është Rusia, nuk i shkon për shtat asnjë tjetri. Nga kjo përplasje, as Evropa nuk fiton, fiton vetëm Rusia”.

Ai ka ka kërkuar të evitohet loja politike siç e ka quajtur ai “Tom and Jerry”.

“Në ndërkohë ka një marrëveshje bazë e cila u dakordësua dhe të dyja vendet sillen sikur marrëveshja nuk ka ndodhur. Kjo është e vërteta, ky është fakti, ky status-quo nuk mund të vazhdojë, duhet të dalim nga kjo lojë politike Tomy and Jerry, të evitojmë edhe skenarin e izolimit të Serbisë, sepse nuk janë aspak skenarë të mirë për ne, për interesin tonë kombëtar”.

Sipas tij, të dy liderët duhet të mbyllen brenda në një konferencë nën trysninë e Francës dhe Gjermanisë dhe të mos kenë të drejtë daljeje deri kur të përfundojë bashkëbisedimi për të zbatuar planin franko-gjerman.

“Mendoj që të dy liderët është e rëndësishme të mbyllen brenda në një konferencë nën kujdesin dhe trysninë e kumbarëve të planit franko-gjerman që është dakordësuar si marrëveshja bazë në një konferencë normalizimi pa të drejtë daljeje deri kur të përfundojë bashkëbisedimi dhe të trajtohen ato pika që është shumë interesant askush nuk i kundërshton por në të njëjtën kohë secili ia hedh tjetrit fajin pse nuk zbatohen”, ka përfunduar Rama.

Ndryshe, tensionet në veri janë rritur që nga 26 maji.

Atë ditë, serbët nisën protestat kundër hyrjes në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, të Zubin Potokut dhe të Leposaviqit, të cilët hynë në ndërtesa me asistimin e Policisë së Kosovës.

Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar në veri, duke kundërshtuar kryetarët që u zgjodhën më 23 prill – zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në dhunë, me serbët që u përleshën në Zveçan me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Më 14 qershor, raportet u tensionuan edhe më shumë, pasi tre policë të Kosovës u kidnapuan nga forcat serbe thellë brenda territorit të Kosovës.

 

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika