Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka reaguar pasi Policia e Kosovës të premten ka arrestuar të dyshuarin Nenad Orloviq, si të dyshuar për përfshirje në dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it më 29 maj.
Lista Serbe, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, e ka cilësuar arrestimin e të dyshuarit për sulm ndaj KFOR-it si “rrëmbim” të “një tjetër serbi të nderuar”.
Po ashtu, partia ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se “arrestimet e pabaza” po shfrytëzohen si një mënyrë për të dëbuar serbët nga Kosova dhe për të krijuar frikë në bashkësinë ndërkombëtare.
“Arrestimet e pabaza dhe arbitrare po përdoren si metodë e dëbimit të të gjithë serbëve nga Kosova, para syve të gjithë bashkësisë ndërkombëtare që me heshtje i dha hapësirë Kurtit të merret me serbët. Nenadi i cili është familjar, baba i katër fëmijëve ka punuar me kohë të pjesshme në një lavazh për të qëndruar në Kosovën e tij dhe për të mbajtur fëmijët e tij. Arrestimi i tij vazhdon planin e Kurtit me të cilin gjysma e serbëve duhet të dëbohen dhe gjysma të arrestohen”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Lista Serbe u ka bërë thirrje forcave të EULEX-it dhe KFOR-it të vijnë në Kosovë sa më shpejt të jetë e mundur, për të garantuar paqen dhe sigurinë për të gjithë qytetarët, sipas tyre, duke parandaluar Kurtin të shkaktojë kaos dhe tensione në rajon.
Ata kanë theksuar se është detyrë dhe obligim i forcave ndërkombëtare të mbrojnë qytetarët, pa dallim kombësie, nga dhuna institucionale e ushtruar nga kryeministri i Kosovës.
“Duke pasur parasysh synimin për të frikësuar serbët në Kosovë, veçanërisht në veri, kërkojmë që EULEX-i dhe KFOR-i të vendosin forcat e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të garantojnë paqen dhe sigurinë për të gjithë qytetarët dhe në këtë mënyrë të parandalojnë Kurtin të shkaktojë kaos dhe kaos dhe duke e çuar të gjithë Ballkanin në konflikte. Është detyrë dhe obligim i tyre që të mbrojnë qytetarët pa dallim kombësie sepse dhuna institucionale e ushtruar nga Kurti është e padurueshme”, thuhet tutje në reagim.
Në njoftimin e Policisë thuhet se i dyshuari serb, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor mbi dyshimet se “është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 maj”.
Atë ditë, të lënduar kishin mbetur rreth 30 ushtarë të KFOR-it, gjatë tentimeve për t’i shpërndarë protestuesit e grumbulluar pranë objektit komunal në Zveçan.
Ndërsa, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.
Një ditë pas kësaj, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit, një veprim që Qeveria e Kosovës e ka cilësuar si rrëmbim. Ndaj tyre, autoritetet serbe kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Për ta qetësuar situatën në veri, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ftoi në takim më 22 qershor kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ata u tha se janë pajtuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.