Profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, Hatixhe Latifi-Pupovci ka reaguar sërish për sulmin fizik ndaj saj, i cili ka ndodhur mesditën e së martës, brenda ambienteve të fakultetit.
Latifi-Pupovci përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook, ka falënderuar të gjithë për përkrahjen morale që po i japin, ndërsa ka shtuar se nuk ka dhunë që e zmbraps atë nga parimet e saj.
”Ju falënderoj shumë për përkrahjen morale që po me jepni me reagimet e juaja ndaj një gjesti të shëmtuar e qyqar!
Ju garantoj,
Nuk ka dhunë që më zmbraps nga parimet e mia, as grushti e as plumbi!”, ka shkruar Pupovci.
Ajo ndër të tjerash thotë se notën në lëndën e Fiziologjisë nuk e merr askush, pa e merituar.
”Nota e Fiziologjisë nuk do të merret pa u merituar nga askush e as nga fëmijët e kolegëve të mi. Me dorën time nuk nënshkruaj mbytjen e fëmijës tim e fëmijës tuaj “nesër”.
Përgjithmonë e atyre që duan drejtësi e rend në këtë vend’’, shkruhet në postimin e Pupovcit.
Profesoresha u sulmua dje fizikisht nga gjinekologu, Arsim Gashi. Ajo ka thënë se ”ka qenë një sulm krejtësisht i papritur dhe i paprovokuar, i shkaktuar nga motive të pakuptueshme për mua”.
Latifi-Pupovci ka konfirmuar pretendimet se sulmi kishte ardhur si rrjedhojë e pakënaqësisë së një studenti mbi një vlerësim të sajin.
Duket se ky nuk është i vetmi rast i sulmuesit.
Dr. Arsim Gashi, gjinekolog, ishte larguar përkohësisht nga puna për shkak të papërgjegjësisë së vazhdueshme në ushtrimin e detyrës, shkeljes së normave të punës, si dhe kërcënimit direkt, serioz që i kishte bërë drejtorit të Qendrës në Prishtinë z. Rrezart Halili. Këtë kërcënim, Halili e kishte deklaruar në polici.
Që nga viti 2008, Hatixhe Latifi-Pupovci është trajnere në Qendrën për Përsosmëri në Mësimdhënie në Universitetin e Prishtinës.