Policia e Kosovës ka paralajmëruar konferencë të jashtëzakonshme lidhur me rastin e mbrëmshëm në Zveçan, ku ka identifikuar dhe njëherit konfiskuar një veturë me targa serbe, në të cilën kishte pasur një sasi armatimi e mjete të ndryshme ushtarake.
Policia ka ftuar mediat të jenë pjesë e kësaj konference të jashtëzakonshme, në të cilën pritet të marrë pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Sipas njoftimit të tyre, konferenca e jashtëzakonshme pritet të mbahet në orën 12:00, në kampin “Belverde” në Mitrovicë të Jugut.
Të premtën e 23 qershorit, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se Policia e Kosovës ka ndaluar një sulm terrorist.
Sveçla tha se gjatë ditës së djeshme është identifikuar një veturë me targa të Beogradit, rreth 100m larg komunës së Zveçanit.
Në këtë veturë janë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshirë Zolla, Osa, eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake.
“Të gjitha këto mjete kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës që Serbia përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon të destabilizojë vendin tonë”, shkroi Sveçla.