Inspektorati Policor i Kosovës e ka suspenduar mbrëmë një pjesëtar të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut, pasi ky i fundit dyshohet se ka bërë fotografi edhe video të paautorizuara.
“Një zyrtar policor është suspenduar sot me rekomandim të IPK-së nga Policia e Kosovës. Hetuesit e IPK-së kanë pranuar informacione sot lidhur me dyshimin se një zyrtar policor ( i Njësisë së Reagimit të Shpejtë – Drejtoria Rajonale Policore – Mitrovicë e Jugut) është i dyshuar për fotografim apo incizim i paautorizuar”, thuhet në komunikatën e IPK-së.
Për këtë ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke thënë se çdo i burgosur ka të drejtat e tij të garantuara me ligjet e Kosovës e me ato ndërkombëtare, derisa ka shtuar se për veprat dhe shkeljet ligjore ballafaqohet me drejtësinë.
Ministri i Punëve të Brendshme ka shtuar se ka përgëzuar çdo aksion të organeve institucionale që bëhet me qëllim të krijimit të një ambienti të qetë e të sigurtë.
“Mirëpo, inçizimi i të arrestuarit apo të burgosurit është absolutisht i papranueshëm dhe është i dënueshëm me të gjithë mekanizmat ligjor në dispozicion. Prandaj, pa asnjë hezitim dje kam ftuar Inspektoratin Policor të Kosovës që të fillojë menjëherë hetimet për këtë rast”, ka shtuar ai.
Tutje, ai njoftoi se zyrtari policor i cili ka kryer këtë akt, mbrëmë është suspenduar nga detyra dhe po vijojnë procedurat hetimore nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).