Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me vërshimet e së shtunës në Pejë.
“Humbja e dy qytetarëve tanë si pasojë e vërshimeve në Pejë ka tronditur gjithë Kosovën. I shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve, miqve, kryetarit të Komunës z. Gazmend Muhaxheri dhe gjithë qytetarëve të komunës së Pejës për këtë humbje të madhe e kaq tragjike”, ka shkruar Osmani.
Osmani ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës dhe gjithë institucionet e tjera që merren me emergjenca të tilla janë në Pejë që nga mbrëmë, duke ofruar ndihmën dhe përkrahjen e tyre.
“Në këto momente të rënda, është me rëndësi që përkrahja të vazhdojë në mënyrë që komuna e Pejës të përballojë dhe të rikuperohet nga kjo situatë e vështirë e tragjike”.