Partia konservatore greke Demokracia e Re ka fituar bindshëm një mandat tjetër katërvjeçar në zgjedhjet e mbajtura të dielën, tregojnë rezultatet zyrtare.
Sipas të dhënave zyrtare pas numërimit të 90 për qind të kutive të votimit, Demokracia e Re e ish-kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ka fituar më shumë se 40 për qind të votave, ndërsa partia kryesore opozitare e majtë, Syriza, ka pësuar rënie të mbështetjes, duke marrë 18 për qind të votave, më pak se sa rezultati që kishte arritur në zgjedhjet e muajit maj.
Vetë Mitsotakis tha pas fitores së se populli grek i dha atij një mandat për të çuar përpara reformat e nevojshme. Partia e tij ka siguruar një shumicë prej 157 deputetësh në parlamentin me 300 vende.
Duke folur pas hodhi votën në Athinë, udhëheqësi i Syrizas Alexis Tripras dukej se e kishte pranuar e partia e tij do të mbetej në opozitë edhe për 4 vjet, edhe pse procesi i votimit vazhdonte akoma.
“Këto zgjedhje nuk do të përcaktojnë vetëm kush do e qeverisë vendin, por do të përcaktojnë jetët tona për katër vitet e ardhshme dhe cilësinë e demokracisë. Do të përcaktojnë nëse do të kemi një qeveri që nuk i kërkohet llogari, apo një opozitë të fortë. Këtë rol mund ta luajë vetëm Syriza”, tha ai.
Zgjedhjet e së dielës u zhvilluan nën hijen e fundosjes së një anijeje emigrantësh me 14 qershor në jug të Greqisë, në të cilën qindra njerëz dyshohet se kanë humbur jetën. Një nga fatkeqësitë më të rënda ndër vite, ka nxjerrë në pah ndarjet e thella politike mbi migracionin.
Partia Demokracia e Re e Mitsotakis fitoi zgjedhjet e 21 majit përballë partisë së majtë Syriza që qeverisi Greqinë nga viti 2015 deri në vitin 2019.
Por ajo nuk mori votat e duhura për të qeverisur e vetme./VOA