Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas vendimit për lirimin e tre policëve të kidnapuar nga forcat serbe, ka falënderuar miqtë ndërkombëtarë, të cilët siç ka thënë ai, janë angazhuar dhe luajtën një rol vendimtar në këtë proces.
Krasniqi, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, është shprehur se vendimi për lirimin e Rifat Zekës, Beqir Sefës e Shemsi Mustafës, është lajm i mirë.
“Lirimi i tre policëve nga mbajtja arbitrare në Serbi – Rifat Zekës, Beqir Sefës e Shemsi Mustafës, megjithëse mjaft i vonuar, është lajm i mirë për familjet e tyre dhe për qytetarët e shtetin tonë. Falënderoj të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët u angazhuan dhe luajtën një rol vendimtar në këtë proces”, ka shkruar kreu i PDK-së.
Ndër të tjera, Krasniqi ka thënë se tani është për shtensionimin e situatës në pjesën veriore të vendit dhe për rikthimin e normalitetit atje, “përmes veprimeve të matura dhe të përgjegjshme politike”.
Tre policët e Kosovës janë liruar këtë të hënë pas seancës gjyqësore në gjykatën e Kralevës në Serbi.
Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Shem Mustafa ishin kidnapuar nga forcat serbe më 14 qershor brenda territorit të Kosovës.
Atyre iu shqiptua masa e paraburgimit më 16 qershor, por nuk ishte e qartë kohëzgjatja e saj.
Policët ishin patrullues kufitarë dhe kryenin detyrën e tyre në një pikë statike në territorin e Kosovës, për të parandaluar kalimin e grupeve kriminale dhe kontrabandën, duke përfshirë dyshime për armatim në atë zonë.
Lexo edhe: Policia e Kosovës publikon hartën e pozicionimit të policëve që u rrëmbyen nga Serbia
Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë bërë thirrje vazhdimisht Serbisë që t’i lirojë pa kushte policët.