Takimi i radhës midis Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve do të mbahet të premten e 13 majit, në Bruksel.
Ky takim pritet të shërbejë si përgatitje për takimin e ardhshëm në nivel të lartë për dialogun Prishtinë-Beograd.
Kështu ka deklaruar për Portalin D në një përgjigje me shkrim, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Sipas tij, takimi në mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, ka për synim të vazhdojë diskutimet për gjetjen e rrugës përpara për një numër çështjesh.
“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE do të vazhdojë të premten më 13 maj me një takim në nivelin e kryenegociatorëve në Bruksel. Qëllimi është të vazhdojnë diskutimet për gjetjen e një rruge përpara për një sërë çështjesh, dhe të përgatitet takimi i ardhshëm i nivelit të lartë të Dialogut”, ka deklaruar Stano.
Ai ka potencuar se çështja e targave, energjisë dhe personat e pagjetur do të jenë sërish në agjendën e diskutimit.
“Të gjitha temat e diskutuara në takimin e fundit të kryenegociatorëve në prill do të jenë sërish në agjendë, veçanërisht targat, energjia dhe personat e zhdukur”, ka thënë Stano për Portli D.
Takimi i fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në mes liderëve, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ishte zhvilluar në korrik të vitit të shkuar.
Po ashtu, ata patën një takim edhe në Berlin.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, të mërkurën e majit priti në takime të ndara, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Kancelari gjerman, fillimisht, ka takuar kryeministrin Kurti, takim ky që ka pasuar me mbajtjen e një konference për media. Më pas, Schloz ka vazhduar me takimin dhe konferencën me presidentin serb, Vuçiq.
Në takimin me kreun e ekzekutivit të Kosovës, kancelari gjerman i kërkoi konstruktivitet në procesin e dialogut me Serbinë.
Para gazetarëve, kancelari gjerman Scholz tha se në kohën e sotme, kur po ndodh lufta në Ukrainë, është e rëndësishme që në Ballkanin Perëndimor të zgjidhen problemet. Ai vlerësoi faktin se Kosova u pozicionua shumë herët dhe me qartësi në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka mbështetur sanksionet.
Ai tutje bëri të qartë se objektivi i dialogut është marrëveshja gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Objektiv i dialogut është arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. E inkurajova Kurtin për konstruktivitet në negociata. Marrëveshja do t’u sillte të mira qytetarëve të të dyja vendeve”, ka thënë kancelari gjerman.
Scholz, në konferencën e përbashkët me Kurtin, njoftoi se shumë shpejt do ta vizitojë Prishtinën, ndërsa tha se në gjysmën e dytë të vitit do ta ftojë kreun e Qeverisë së Kosovës përsëri në Berlin për një takim tjetër.
I drejtpërdrejtë ishte edhe Kurti pas takimit me Scholz, duke u treguar i ashpër me BE-në për çështjen e mosliberalizimit të vizave.
Kurti ka thënë se Kosova është proaktive në dialogun me Serbinë.
Kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i përqendruar në njohje reciproke ndërmjet dy vendeve.
“Dialogu duhet të jetë i bazuar në njohje reciproke. Njohje reciproke duhet të jetë në qendër e jo në fund të procesit”, ka deklaruar tutje Kurti.
Lidhur me këto çështje, është shprehur edhe kancelari Scholz, duke thënë se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm, andaj ai ka thënë se në gjysmën e dytë do të ketë një ftesë për takim në kuadër të Procesit të Berlinit.
Darka Kurti-Vuçiq-Lajçak, kthen palët në tavolinën e dialogut