Një polic ka humbur jetën dhe një tjetër ka pësuar lëndime të rënda trupore si pasojë e një aksidenti në fshatin Rogoqicë të Kamenicës.
Këtë e ka bërë të ditur për Portalin Dukagjini, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Hashani ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:20, në vendin e quajtur ‘Te Tyrbja’ në fshatin Rogoqicë të Kamenicës.
Sipas Policisë, në aksident kanë qenë të përfshira një mjet motorik katërrotësh i Policisë së Kosovës dhe një veturë civile.
Tjetri pjesëtar i lënduar i policisë po trajtohet në qendrën rajonale emergjente në Gjilan.
“Më datë 26.06.2023, në rreth orës 12:20 ka ndodhur një aksident trafiku te vendi i quajtur ,, Te Tyrbja” në fshatin Rogoqicë, komuna e Kamenicës, në mes të mjetit motorik katërrotësh të Policisë së Kosovës dhe një veture civile. Në vend ngjarje kanë dalë të gjitha njësitet relevante, të cilat janë duke u marrë me rast. Të lënduarit janë transportuar në Spitalin Rajonal. Nga spitali rajonal jemi njoftuar se njëri zyrtar policor i përfshirë në aksident ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të pësuara në aksident. Ndërsa një pjesëtar tjetër i Policisë së Kosovës që ka qenë bashkë në mjetin motorik i cili ka pësuar lëndime të rënda trupore po trajtohet në qendrën rajonale emergjente në Gjilan”, ka thënë Hashani.