Blerim Rexha profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), dje përmes një njoftimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka njoftuar se ka dorëzuar padinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative kundër Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit(MASHTI).
Padia e Rexhës ka të bëjë për anulimin e aktit administrativ dhe zëvendësimin e tij me aktgjykim në lidhje me konkursin për çmimin “Shkencëtari i vitit 2022”.
Rexha në një përgjigje për Portalin Dukagjini thotë që në konkurs thuhet se do jepen tre çmime për shkencëtarin e vitit, por pas gjashtë muajsh proces vendimi ka ndryshuar duke i dhënë çmimin shkencëtari i vitit vetëm një personi. Gjithashtu, Rexha ishte njëri ndër të rekomanduarit nga komisioni i ministrisë për këtë çmim, sipas tij nga vetë nën këshillat e fushave përkatëse të shkencës, dhe Këshilli Shkencor i Ministrisë.
“Mendoj se Ministrja nuk është udhëzuar drejt nga këshilltarët gjegjësisht zyrtaret e MASHTI. Ministrja e MASHTI, nuk ka pas të drejtën të ushtrojë “pushtet diskrecionar” në propozimet e Këshillit Shkencor të Ministrisë, dhe të zgjedhë njërin nga tre kandidatët e propozuar nga ky Këshill”, ka thënë për Rexha për Dukagjinin.
Më tej profesori Rexha pretendon që përmes një emaili ka kërkuar nga MASHTI, ta ri-shqyrtoj vendimin e saj, por ministria ka heshtur tash e 10 ditë dhe se Rexha tanimë po përdor kartën e fundit, padinë.
Ndërsa nga MASHTI për Portalin Dukagjini lidhur me rastin thonë që kanë qenë 13 aplikime. Rekomandimet e nënkëshillave kanë shkuar tek Këshilli Shkencor, ku pastaj ky këshill ka rekomanduar tre kandidatë për këtë çmim.
Fituese e këtij çmimi është shpallur Valbonë Mehmeti e cila sipas ministrisë është autore e 14 publikimeve shkencore, prej të cilave 4 si autore e parë dhe autore e një monografie në periudhën vlerësuese (shtator 2021-tetor 2022).
“Kandidati Blerim Rexha ka 4 publikime shkencore, nga të cilat asnjë si autor i parë në periudhën vlerësuese. Duke u bazuar në këto informata dhe në skemën e cila ndahet për hulumtuesit individual me rezultate të jashtëzakonshme shkencore, është vendosur që këtë vit ky çmim t’i ndahet kandidates Valbonë Mehmeti e cila ka pasur më së shumti punime shkencore për vitin vlerësues.”, janë përgjigjur nga MASHTI.
Sipas ministrisë kjo skemë vlerëson punën një vjeçare të kandidatëve dhe jo kontributin e tyre gjatë karrierës së deritanishme. Gjithashtu, ata theksojnë që kjo nuk është hera e parë që thirrja bëhet për tre kandidatë dhe shpallet një fitues.
Por, pse ndodh një gjë e tillë, MASHTI nuk ka dhënë sqarim.