Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të martën e 27 e qershorit është duke marrë pjesë në Samitin e vendeve të Evropës Juglindore që po mbahet në Mal të Zi.
Përmes një postimi në Facebook, e para e vendit, ka thënë se krahas liderëve dhe përfaqësuesve të tjerë të Evropës Juglindore, “jam në Podgoricë për t’i rikonfirmuar përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm, si dhe angazhimin tonë për një të ardhme më të sigurtë brenda institucioneve euroatlantike”.
Ajo ka përgëzuar, Malin e Zi dhe presidentin, Jakov Milatoviq për kryesimin e suksesshëm të Procesit të sivjetëm të bashkëpunimit të Evropës Juglindore.
Të martën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Podgoricë, për të marrë pjesë në Samitin e krerëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).
Kështu ka bërë të ditur Zyra e Presidencës, ku thuhet se në këtë Samit, presidentja Osmani “do t’u bashkohet krerëve të 13 shteteve”.
Në Samit do të diskutohet rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë.
Kjo për përshpejtimin e perspektivës evropiane të rajonit, garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe promovimit të bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimit të qëndrueshëm.