Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama “ndërhyri” me një propozim për statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe ngase e pa se Kosova nuk po i kryente detyrat e saj.
Në një intervistë për “Five” të RTV Dukagjini, Haradinaj ka deklaruar se nuk ishte vetëm Rama me këshilla për Kosovën.
“Edhe lirimi i policëve edhe statuti i Asociacionit janë çështje të Kosovës, është dashur Kosova të jetë e aftë të trajtojë këto tema. Kuptohet kur nuk i përfundon punët e shtëpisë, të hyjnë në shtëpi. Në këtë rast mirë se ai është kryeministri i Shqipërisë, por nuk është vetëm ai. Ne po e shohim vetëm Ramën, por kush ka mbetur pa na dhënë këshilla publike neve? Kosovës për depërshkallëzim?”, ka deklaruar ai.
Haradinaj ka theksuar se janë veprimet e Kurtit, ato që po nxisin të tjerët të ofrojnë mundësi për Kosovën.
“Drejtimi i gabuar i Kurtit i detyroi të gjithë të kërkojnë mënyra për Kosovën, mënyra për të ndaluar pasojat. Unë mendoj se shpeshherë kur kyçet Rama nuk është Rama. Mos të harrojmë, Shqipëria është anëtare e NATO-së, partnere e SHBA-së dhe BE-së, shumica e tyre ia shprehin shqetësimin. Në pamundësi për t’u marrë vesh me Qeverinë e Kosovës, me kryeministrin…”, ka deklaruar Haradinaj.
Ky i fundit thekson se Kurti po mundohet ta gënjejë popullin dhe simpatizantët e LVV-së se ndërkombëtarët po mundohen të bëjnë veprime kundër Kosovës, gjë që Haradinaj thotë se Kurtit po i ofrohet e kundërta, propozime e vendime në favor të saj.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ua ka propozuar një draft-statut të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz ,të cilët i cilësoi si “kumbarë” të planit franko-gjerman.
Ky i fundit ka thënë se beson që krijimi i Asociacionit në Kosovë paraqet një derë për hapjen e dyerve ndërkombëtare për Republikën e Kosovës.