Fjalën e tij në “Debat Plus” e nisi me kritika për kreun e ekzekutivit, por kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, kritikat nuk i kurseu as për partitë opozitare në vend.
Në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Molliqaj ka thënë se subjektet politike opozitare gjenden aty si shkak i numrave dhe jo nga roli i tyre si opozitë.
Me kritika të veçanta, Molliqaj kritikoi edhe Haradinajn, liderin e AAK-së.
“Ne kemi një parti parlamentare që një ditë kërkon dorëheqje që është AAK që në rregull që po kërkon dorëheqje e shkarkim. Sot e pashë i thotë të kthehet në dialog e të zbatojë marrëveshjen. S’mundesh të kesh pozicion edhe me i thënë ‘duhet të kthehesh të zbatosh dialogun’”, ka deklaruar ai, gjersa ka theksuar se “Është pozicion i gabuar opozitar. Partitë e tjera opozitare janë në opozitë për shkak se i kanë numra, por opozitë fare nuk janë duke bërë”.
Haradinaj kishte deklaruar para një seance plenare të Kuvendit të Kosovës se Kosova po i vuan gabimet e bëra nga Kurti dhe se zgjidhja e vetme është rrëzimi i qeverisë.
Lidhur me mocionin e mosbesimit, Haradinaj deklaroi se partitë opozitare duhet të jenë të qarta në qëndrimin e tyre.
“Së paku çka mund të bëjnë partitë opozitare në një situatë çfare jemi, është të deklarohen qartë se jemi për mocion. Pra, i kemi 40 nënshkrime, e iniciojmë mocionin, e kërkojmë mirëkuptimin dhe ndihmën e deputetëve që kanë shqetësim për situatën dhe ta ndajmë pra Kosovën në dy pjesë, Kosova e Kurtit, po edhe një tjetër që janë të shqetësuar dhe kërkojnë shkarkimin e tyre”, ka deklaruar ai, të martën në RTV Dukagjini.