Donjeta Demolli nga radhët e PSD-së ka deklaruar se beson në përshkrimin se subjekti të cilit i përket ajo, mbetet partia e vetme opozitare në vend.
Në emisionin “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Demolli ka deklaruar se opozita e sotme parlamentare nuk e ka për prioritet politikën.
“Sipas bindjes personale, politika për opozitën e sotme parlamentare është në prioritet të dytë, të tretë. Biznesi mund të jetë preokopim, obligime të tjera…opozita e sotme e lodhur nga udhëheqja e gjatë mund të jetë në komforin e përfitimit”, ka thënë ajo gjersa ka theksuar se “Ne besojmë se është e vërtetë përshkrimi për PSD-në se është opozita e vetme dhe ne besojmë që jemi zëri kryesor i vetëm dhe alternativa e vetme aktualisht për problemet e qytetarëve, për çështjet e demokracisë dhe të tjera”.
Ajo thekson se qytetari i sotëm ka hequr dorë nga partitë opozitare parlamentare.
Kritika për opozitën pati edhe kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.
Ai ka thënë se subjektet politike opozitare gjenden aty si shkak i numrave dhe jo nga roli i tyre si opozitë.
Me kritika të veçanta, Molliqaj kritikoi edhe Haradinajn, liderin e AAK-së.
“Ne kemi një parti parlamentare që një ditë kërkon dorëheqje që është AAK që në rregull që po kërkon dorëheqje e shkarkim. Sot e pashë i thotë të kthehet në dialog e të zbatojë marrëveshjen. S’mundesh të kesh pozicion edhe me i thënë ‘duhet të kthehesh të zbatosh dialogun’”, ka deklaruar ai, gjersa ka theksuar se “Është pozicion i gabuar opozitar. Partitë e tjera opozitare janë në opozitë për shkak se i kanë numra, por opozitë fare nuk janë duke bërë”.
Haradinaj kishte deklaruar para një seance plenare të Kuvendit të Kosovës se Kosova po i vuan gabimet e bëra nga Kurti dhe se zgjidhja e vetme është rrëzimi i qeverisë.