Gjatë qëndrimit në Kosovë të Danilo Vuçiq – djali i presidentit serb Aleksandër Vuçiq, Policia e Kosovës e ka ndaluar dhe i ka hequr bluzën me mesazhe provokuese që ai mbante.
Vuçiq është pyetur nga mediat serbe nëse vërtet e kanë ndaluar djalin e tij në Kosovë, ai ka thënë se e kanë bërë edhe në disa raste tjera.
Po ashtu, Vuçiq ka thënë se e vlerëson guximin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe ka shtuar se djali i tij, Danilo, është “më trim” se Kurti.
“Kjo është puna e tyre. E ndaluan tre herë, ia kontrolluan makinën, e ngacmuan. Përgëzoj Albin Kurtin për guximin e tij. Nuk është aq trim kur është rreth meje, por kjo është në rregull… Danilo nuk është i vogël, është më trim se Albin Kurti”, ka thënë Vuçiq siç ka shkruar mediumi Danas.
Pas përfundimit të ceremonisë, e cila u mbajt në Graçanicë, RTV Dukagjini ka siguruar pamjet ku shihet se Policia e Kosovës ka ndalur veturat ku ishte djali i presidentit të Serbisë për t’ia larguar bluzën, e cila mbante mbishkrime antiKosovë.
Danilo Vuçiq pas liturgjisë ishte parë duke lëvizur nëpër qytezën e Graçanicës, i shoqëruar nga një grup serbësh dhe nga pjesëtarë të sigurimit.