Ish-ambasadori, Anton Berisha, ka reaguar pas vizitës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në veri të Kosovës.
Sipas Berishës, kryeministri Kurti, “nuk i shërben policisë në ditët e punës me masa shtetërore, pagesa e shujta të dinjitetshme, përbuz uniformën me gjeste “cirkusanti” si shërbyes-bakllavaje”.
“Nuk i viziton policët e rrëmbyer nga Serbia në ditë pune, në zyrat e shtetit, për t’i trajtuar rastin në dimension shtetëror, i viziton privatësish në ngjarje fetare, thua se janë persona privatë”, ka thënë Berisha.
Më tej, ish-diplomati Berisha e ka kritikuar Kurtin se nuk e ka bërë takimin me Papën kur ka pasur mundësi të përfitonte Kosova.
“Nuk e viziton Papën në momentin politik kur mund të përfitojë Kosova, e viziton në momentin personal kur izolohet nga aleanca euroatlantike”.
“Një botë normale është duke bërë çmos për hir të Kosovës të kufizojë dëmet e këtij politikani primitiv, e ne anën tjetër, për fat të keq, një shoqëri preferon të dehët me veprimet e kryeministrit të papërgjegjshëm”, ka përfunduar Berisha.