I ashtuquajturi drejtor për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar pasi Policia e Kosovës e kishte ndalur djalin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, pasi mbante një bluzë me mbishkrime provokuese.
Sipas Petkoviqit, “djali i presidentit të Serbisë tregoi [Policisë së Kosovës] se kur një serb thotë se “dorëzimi nuk është opsion”, ai e thotë me plot kuptim!”.
Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të të ashtuquajturit drejtor për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në Twitter.
“Kurti, i cili në prani të presidentit Aleksandër Vuçiq është më i vogël sesa një farë e lulëkuqes, bëhet hero duke dërguar falangistët e tij tek djali i presidentit që t’i drejtojnë atij tuba të gjata në ditën e Vidovdanit! Sado i frikshëm që ishte provokimi i Kurtit, përgjigjja e Danilos ishte dinjitoze dhe heroike”.
“Dje, pasi policët e Kurtit u përpoqën që me forcë t’ia ndërronin këmishën me një mesazh që atyre nuk u pëlqente, djali i presidentit të Serbisë tregoi se kur një serb thotë se “dorëzimi nuk është opsion”, ai e thotë me plot kuptim!”, ka shkruar Petkoviq në Twitter.