Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se po trajton me prioritet rastin që ka ndodhur në Spitalin e Prizrenit, nëse ka pasur shkelje të procedurave standarde gjatë punës së stafit mjekësor.
Policia e Kosovës të mërkurën e 28 qershorit kishte njoftuar se ka arrestuar tre mjekë të Spitalit të Prizrenit, pasi një burrë ka raportuar se foshnja e tij ka vdekur disa minuta pas lindjes dhe se ai dyshon që kjo ka ndodhur si pasojë e mostrajtimit të duhur nga stafi mjekësor.
“Në të njëjtën kohë jemi duke pritur raportin e ekspertëve mjeko-ligjorë, për të konstatuar e konkluduar mbi shkaqet dhe rastin. Andaj, aktualisht nuk mund të konkludohet nëse e mjekët që kanë trajtuar rastin, ndonëse janë arrestuar, kanë kryer veprim që ka shkaktuar rrezik jete”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
Sipas këtij njoftimi, thuhet se raportet profesionale, për çdo rast me fatalitet që ndodh në kushtet spitalore, janë element kyç për të verifikuar nëse mjeku ka shkelur procedurat apo nuk ka vepruar sa e si duhet.
“Pa këto raporte çdo konkluzion mbetet jo vetëm i pabazuar, por arbitrar”, vijon njoftimi.
Ndryshe, sipas Policisë, trupi i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa mjekët e arrestuar janë dërguar në mbajtje dhe dyshohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.
Arrestohen tre mjekë të dyshuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor